PRESS RELEASE TIFF 2012
TIFF do të hapet mbrëmjen e 23 nëntorit me Programin Special “Reflecting Albania”, program që prej dhjetë vjetësh në festival i kushtohet filmave të prodhuar nga të huajt për Shqipërinë. Do të jetë filmi dokumentar “La Nave Dolce”, bashkëprodhim italo-shqiptar, fitues i çmimit “Francesco Pasinetti”, si filmi më i mirë i prezantuar në Festivalin e fundit në Venecia, që do hapë siparin e TIFF 2012 në Kinema Millennium. Do të jenë prezent në premierën ballkanike të këtij filmi regjisori Daniele Vicari, skenaristja Antonella Gaetta dhe Kledi Kadiu, dëshmitar okular në udhëtimin e anijes me sheqer.
Konkurrimi në TIFF do të fillojë në 24 nëntor në Imperial Cinemas-Sheraton me kategorinë e FILMAVE ME METRAZH TË GJATË deri në datë 27 nëntor, ditë kur do të shpallen fituesit në këtë kategori me 8 filma. Juria ndërkombëtare që do të vlerësojë filmat e kësaj kategorie përbëhet nga: Vladimir Blazevski, regjisor (Maqedoni), fitues i TIFF 2011 me filmin “Punk’s Not Dead”; Marian Tutui, murator e filmologjist në Cinematekën e Rumanisë; Massimo Forleo, Drejtor Artistik në RAI.
Në datën 28 nëntor është vendosur të projektojmë vetëm FILMAT NË SHQIP, që bëjnë pjesë në këtë kategori prej 25 filmash dhe fituesit do shpallen në mbrëmjen e 28 nëntorit nga një juri e përbërë nga: Robert Aliaj Dragot, artist: Koloreto Cukali, skenarist; Kast Hasa, regjisor, fitues i kësaj kategorie në TIFF 2011.
Gjithashtu në kuadrin e festës kombëtare të Pavarësisë kemi menduar të shfaqim për herë të parë për publikun, filmin rumun të vitit 1929 “Hajducii”, ku protagonist kryesor është artisti i njohur Kristaq Antoniu. Ky projeksion special do të mundësohet në bashkëpunim me Arkivin Qëndror Shtetëror të Filmit dhe do shfaqet në sallën e AQSHF-së.
Festivali do të vazhdojë me konkurrimin në kategorinë e FILMAVE TË SHKURTËR me 53 filma në këtë kategori deri në datën 2 dhjetor kur do të shpallen fituesit dhe do të mbyllet TIFF 2012. Kjo juri përbëhet nga Blerta Zeqiri, regjisore (Kosovë), fituese në Sundance dhe Sarajevo Film Festival; Elektra Venaki, studiuese dhe lektore (Greqi); Stefania Casini, regjisore (Itali).
Në kuadrin e Programit Special dhe të 100 vjetorit të lindjes së Michelangelo Antonioni do të kemi tre shfaqje filmash të regjisorit të madh Italian shoqëruar me një film dokumentar të bashkëshortes së tij, Enrica Antonioni, e cila do të jetë prezente në Tiranë së bashku me producentin e Antonionit, Amedeo Pagani.
|